Respekti ndaj tjetrit është një veprim pozitiv, ku përmes tij përcjell një ndjenjë admirimi për cilësitë e mira ose të vlefshme ndaj presonit tjetër. Është gjithashtu proces i nderimit, duke shfaqur kujdes, shqetësim, konsideratë dhe duke i pranuar mendimet reciproke edhe nëse janë mendime të ndryshme apo nëse ato vijnë nga një person i komunitetit tjetër.
Në të gjitha shoqëritë e botës, respekti luan një rol të madh. “Respekti ndaj tjetrit është i domosdoshëm”, kështu tha për Radio KFOR-in zonja Besa Aruqi dhe më tutje në lidhje me këtë temë shtoi: “Secili njeri ka nevojë të jetojë i lumtur, por për të pasur lumturi duhet të ketë dashuri dhe respekt, së pari për veten dhe pastaj edhe për të tjerët. Prandaj, ju them të respektoni njëri-tjetrin pa marrë parasysh se çfarë nacionaliteti është, mund të jetë serb, rom, boshnjak apo turk. Duke respektuar tjetrin ju jetoni jetën më të lumtur.”
Të njëjtin mendim e kishte edhe zonja tjetër, Nada Bajčetić: “Punoj në Ministrinë për Kthim dhe Komunitete, këtu ka një përzierje kombësish si shqiptar, serb dhe boshnjak. Ne të gjithë jetojmë mirë, nuk ka probleme. Do të doja të ishte kështu kudo, që të gjithë të jetojnë në harmoni.”
Të marrësh dhe të japësh respekt, është një nga vlerat e civilizimit shoqëror, prandaj respektoje tjetrin ashtu siç do të doje të të respektojnë ty!