‘Dita e Barazisë së Grave’ shënohet globalisht me datën 26 gusht, që nga viti 1971. Kjo ditë shënohet për të rikujtuar përvjetorin e ratifikimit të Amendamentit të 19-të, i cili u dha grave për herë të parë të drejtën e votës në SHBA. Pas shumë vitesh, gratë ende po përballen me sfida dhe padrejtësi në shumë fusha, në gjithë botën.
Gratë në Kosovë, vazhdojnë të përballen me sfida të shumta që përfshijnë edhe diskriminimin e tyre, dhunën në familje dhe pabarazi të tjera. Radio KFOR-i për këtë ditë ka zhvilluar një intervistë me koordinatoren e projekteve nga ‘Rrjeti i Grave të Kosovës’, Valmira Rashiti, e cila tregoi për situatën shqetësuese të pozitës së gruas në Kosovë: “Dita e barazisë gjinore nuk e gjen Kosovën në pozitë feste. Arritja e barazisë gjinore në Kosovë, tingëllon ende si diçka shumë e largët, ani pse si vlerë, barazia gjinore proklamohet nga ‘Ligji për Barazi Gjinore’ në Kosovë, i cili konsiderohet si ndër më të avancuarit në rajon. Në fakt, pandemia në të cilën ende jemi duke kaluar, ka thelluar pabarazitë gjinore dhe disavantazhet e të qenurit grua në Kosovë. Vetëm gjatë pandemisë, dhuna në familje, është rritur për 30 %.”
Znj. Rashiti, po ashtu tregoi se vetëm 17 % e pronave në Kosovë, kanë gra si pronare, ndërsa përqindja e grave të punësuara në Kosovë është vetëm 13%. Vetëm gjatë vitit të kaluar, sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë janë raportuar 785 raste të dhunës në familje, ku 620 nga këto raste ishin gra.
Rrjeti i Grave të Kosovës vazhdimisht ka avokuar dhe punuar për përmirësim të gjendjes së barazisë gjinore në Kosovë, përmes fuqizimit ekonomik të grave, rritjes së numrit të grave në pozita vendimmarrëse, aftësimit profesional, bashkëpunimit mes organizatave të grave në nivel qendror dhe lokal si dhe avokimit për legjislacion dinjitoz në raport me barazinë gjinore.