16.51% më pak aksidente trafiku kanë ndodhur në rrugët e Kosovës, në periudhën kohore janar-korrik 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të shkuar. Kështu ka treguar për Radio KFOR-in, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, i cili njoftoi për gjendjen në trafik: “Gjendja e sigurisë rrugore për periudhën kohore janar-korrik 2020, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, pra vitit 2019, vërehet se ka një rënie të theksuar të aksidenteve me pasoja fatale, të aksidenteve me lëndime e po ashtu edhe të aksidenteve me dëme materiale. Nëse i referohemi aksidenteve me pasoja fatale ka rënie prej 22.92% apo tek numri i personave që kanë humbur jetën, ka rënie prej 32.76%, pra për periudhën e njëjtë me vitin e kaluar (janar-korrik 2019). Janë 19 persona më pak që kanë humbur jetën, të aksidenteve me lëndime ka rënie për 14.80% apo i personave të lënduar është 18.73% , diku rreth 1.125 persona më pak të lënduar sesa vitin e kaluar. Edhe numri i aksidenteve me dëme, është në rënie për diku rreth 17.50% apo 882 aksidente më pak. Si total i përgjithshëm i numrit të aksidenteve që përfshijnë të gjitha këto kategori, vlerësohet një rënie prej 16.51% apo thënë në shifra 1.352 aksidente më pak në total, se sa periudhën e njëjtë të vitit 2019.”
Z.Kelani ka treguar se në rënien e numrit të aksidenteve, krahas masave për parandalimin e përhapjes së pandemisë që ka çuar në një qarkullim më të vogël në trafik, kanë ndikuar gjithashtu edhe angazhimet e Policisë së Kosovës, njësive të trafikut që kanë implementuar në vazhdimësi planin operativ për sezonin veror, ku nuk kanë munguar edhe fushatat sensibilizuese, patrullimet dhe pikat e kontrollit të Policisë së Kosovës. Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Kelani edhe njëherë ka bërë thirrje përmes frekuencave të Radio KFOR-it tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, që të respektojnë ligjin për komunikacionin rrugor dhe t’i përmbahen shenjave të trafikut, pasi vetëm kështu në bashkëpunim me policinë mund të ndikojmë që të zvogëlojmë numrin e aksidenteve.