Sot, më 22 gusht, në Rubrikën ‘Artist of the Day’, do të sjellim karrierën muzikore dhe sukseset e njëpasnjëshme të këngëtarit dhe kantautorit të famshëm, Bruno Mars, i cili ka lindur më 8 tetor, të vitit 1985 në Hawaii. Ai ishte bërë i famshëm në fillim të vitit 2000, ku shkroi këngë të shumta për artistë të famshëm, përfshirë këngën “Wavin’ Flag”, të K’Naan’s, e cila ishte himn i ‘FIFA World Cup 2010’. Bruno ishte edhe kantautor i shumë këngëve të tjera, siç është hiti “Right Round” nga Flo Rida, “Long Distance” nga Brandy dhe “Billionaire” nga Travie McCoy.
Debutimin si këngëtar, Bruno Mars e bëri në vitin 2010, me hitin e tij “Nothin’ on You”.
Pak muaj më vonë, ai lansoi edhe hitin “Just the Way You Are”, me të cilën arriti të prekë majat e top listave Billboard. Te dyja këngët ishin pjesë e albumit të parë nga Mars, të titulluar “Doo Wops & Hoolingans”. Ky album përmbante edhe këngë tjera të famshme të tij, si: “Grenade” dhe “The Lazy Song”.
Albumin e dytë, Mars e lansoi në dhjetor të vitit 2012, të titulluar “Unorthodox Jukebox”. Kënga kryesuese e këtij albumi “Locked Out of Heaven”, arriti po ashtu majat e top listave në “Billboard Hot 100”. Me këtë këngë ai fitoi edhe çmimin “MTW Awards”, në kategorinë “Best Music Video”. Projekti i dytë i lansuar nga ai “When I Was Your Man”, po ashtu arriti pozitën numër 1 në “Billboard Hot 100”.
“Uptown Funk” është projekti i radhës muzikor, me të cilin Mars arriti suksese të mëdha, por këtë herë në bashkëpunim me muzicientin, Mark Ronson.
Më 2016, Mars kishte performuar bashkë me Beyonce dhe Coldplay, në një nga ngjarjet më të rëndësishme të futbollit në Amerikë, “Super Bowl”. Mars vazhdoi me sukseset e tij mbresëlënëse, duke lansuar albumin e tij të tretë me radhë të titulluar “24 K Magic”, në nëntor të vitit 2016. Një nga këngët e këtij albumi është hiti i titulluar “That’s What I Like”, me të cilin Bruno arriti të zë vendin e parë në “Billboard Hot 100”. Suksesin më të madh në karrierë Bruno Mars e shënoi në vitin 2018, duke fituar 6 çmime ‘Grammy’, për të gjitha kategoritë në të cilat ishte nominuar, përfshirë këtu edhe marrjen çmimit për këngën dhe albumin e vitit.