Të rinj nga komunitete të ndryshme që jetojnë në Kosovë, përmes Radio KFOR-it, u kanë bërë thirrje të gjithëve për respektim të masave parandaluese për mbrojtje nga ‘CoViD- 19’, siç është bartja e maskës, distancës fizike dhe higjienës personale.
Radio KFOR-i sjell tek ju mesazhet e të rinjve nga Komuniteti Shqiptar, Serb, Rom, Ashkali dhe Boshnjak:
– “Ata të cilët e bartin maskën janë njerëz me integritet të lartë, njerëz mjaftueshëm të vetëdijshëm për rrezikun që paraqet virusi. Njëkohësisht, janë njerëz që e duan vetën dhe të tjerët. Kurse ata të cilët nuk bartin maskë na tregojnë që nuk janë mjaftueshëm të vetëdijshëm se çfarë rreziku paraqet virusi, që nuk janë mjaftueshëm të edukuar për t’i dëgjuar ekspertët shëndetësor dhe që nuk e duan vetën dhe të tjerët”, thotë Neri Ferizi.
– “Në këtë kohë, kur e gjithë bota po përballet me virusin e ri, mënyra e vetme për të ruajtur vetën tonë është të mbajmë maskë, distancë fizike dhe të pastrojmë duart tona. Ne duhet të bartim maskë së pari për ne, e po ashtu e bartim për të ruajtur prindërit tonë, vëllezërit, motrat dhe njerëzit që i njohim”, këshilloi Filip Radovanovic.
– “Jemi në kohë pandemie ku të gjithë jemi të rrezikuar, andaj mos harroni, pastroni duart sa më shpesh e mirë, vendosni maskat dhe mbani distancë së paku dy metra nga të tjerët. Në këtë mënyrë ruani vetën dhe familjen”, tha Agnesa Toska.
– “Ju rekomandoj që maksimalisht të përdorin maskë mbrojtëse, në çdo moment. Ju lutem përdorni dezinfektues në çdo moment, në çdo prekje, me çdo individ. Ruani shëndetin tuaj, ruani rrethin tuaj, Covidi vret!”, shtoi Milaim Ramadani.
– “Në këtë situatë me ‘Covid – 19’, armiku ynë i padukshëm mund të mposhtet vetëm nëse e trajtojmë atë si të dukshëm. Ju i dini rregullat, andaj respektoni ato. Bëhuni pozitiv, të gëzuar dhe të buzëqeshur sepse kjo është mënyra e vetme për të mposhtur këtë armik”, u shpreh Fahret Aslanagic.
Të gjitha këto mesazhe vetëdijesuese nga të rinjtrinia, ju mund t’i ndiqni edhe me video në rrjetet tona sociale, në Instagram: radiokforshqip dhe Facebook: Radio KFOR 90.2 Shqip.