Punëtorët shëndetësorë në mbarë botën janë shpallur heronjtë e vitit 2020, për shkak të kontributit të tyre në trajtimin e pacientëve të prekur me ‘Covid – 19’. Ata po vlerësohen si njerëzit më të guximshëm të kësaj gjenerate. Megjithatë, heronjtë e kësaj pandemie, kanë sakrifikuar duke qëndruar larg familjarëve të tyre, në mënyrë që të mos bëhen burim infeksioni, për shkak të kontaktit të vazhdueshëm me pacientët e tyre.
Kirurgu, Salih Krasniqi dhe pediatrja, Florie Krasniqi, janë në mesin e çifteve bashkëshortore të shumta, që kanë qenë në shërbim të pacientëve gjatë pandemisë. Ata kanë punuar afër njëri-tjetrit, por në të njëjtën kohë kanë qenë aq larg, për shkak të kujdesit që kanë pasur gjatë gjithë kohës, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë ‘Covid – 19’ tek fëmijët, nipërit dhe mbesa.
Në një rrëfim për Radio KFOR-in, ata tregojnë se kjo periudhë ishte e stërngarkuar, për disa arsye: “Unë jam Salih Krasniqi dhe punoj në Kirurgji. Kjo periudhë ka qenë e stërngarkuar, për shkak të familjes, se mos po ndodh diçka, meqë dytë kemi qenë vazhdimisht në kontakt me palë të ndryshme, që edhe kanë mundur të jenë të infektuar me koronavirus. Kështu që për shkak të familjes kemi kujdes më të shtuar, në mënyrë që ne të mos jemi shkas i bartjes së infeksionit në shtëpi. Nuk është aspak e lehtë as për mua, as për gruan, por ne e kemi obligim të jemi afër pacientëve.”
Bashkëshortja e Dr. Krasniqit, Dr. Florie, e cila punon si pediatre në Shtëpinë e Shëndetit në Prishtinë, thotë se pavarësisht rrezikut, gjithherë janë të gatshëm t’i ofrojnë shërbimet shëndetësore, për të cilat pacientët kanë nevojë. “Ne gjatë tërë kohës punojmë me palë, madje kemi pasur raste kur prindërit e prekur me ‘Covid – 19’, kanë sjellur fëmijët e tyre për kontroll. Madje, kemi pasur raste kur edhe fëmijët kanë qenë të sëmurë me këtë virus, por pavarësisht kësaj, vazhdimisht kemi ofruar shërbimet e kërkuara mjekësore. Nuk jam larguar për asnjë rast kur është kërkuar ndihmë mjekësore.”
Në fund, çifti Krasniqi, kanë pasur një këshillë të përbashkët për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it: “I këshillojmë të gjithë të prekurit me ‘Covid – 19’, që të mos dalin nga shtëpitë e tyre dhe nëse ndodh që fëmija sëmuret apo ka simptoma, atëherë le ta sjell dikush tjetër në kontroll, sepse pastaj rrezikon edhe infektimin e stafit mjekësor. Mbani distancë, maska dhe dorëza, po ashtu pastroni duart në vazhdimësi dhe lajmërohuni te mjekët, vetëm nëse keni nevojë. Duke respektuar rekomandimet e IKSHPK-së, ne do ta tejkalojmë këtë gjendje.”
Në fund të këtij artikulli, kujtojmë se deri më tani kemi më shumë se 750 mjekë dhe infermierë të infektuar me ‘Covid – 19’, andaj t’i ruajmë ata dhe ta çmojmë sakrificën e tyre, duke respektuar në përpikëri të gjitha rekomandimet e Institutit të Shëndetit Publik të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë.