Me ardhjen e sezonës së verës, një nga gjërat e para që na vije në mendje është se ku të gjejmë freski gjatë këtyre ditëve me temperatura të larta. Pishinat, janë një nga opsionet që shfrytëzojnë kryesisht qytetarët në Kosovë gjatë muajve të verës. Megjithatë, një gjë e tillë u është pamundësuar këtë vit për shkak të situatës së krijuar nga pandemia ‘Covid – 19’. Me vendim të Qeverisë së Kosovës, pishinat e hapura janë mbyllur që nga data 30 korrik, 2020 dhe nuk dihet nëse këtë vit do të hapen sërish.
A bartet virusi ‘Covid – 19’ përmes ujit? – këtë çështje për Radio KFOR-in e ka sqaruar profesori i Mikrobiologjisë dhe Kontrollit të Infeksioneve në Universitetin e Prishtinës, Lul Raka, i cili tha: “Pishinat nuk janë mbyllur për shkak të ujit, sepse virusi nuk bartet përmes ujit, meqë uji ka klor dhe klori e dezinfekton dhe pastron ujin. Pishinat janë mbyllur për shkak të grumbullimit të njerëzve, nga 500 njerëz në një pishinë. Problemi është te mosrespektimi i distancës sociale”.
Frika e infektimit me virusin ‘Covid – 19’, ka bërë që një numër i madh i qytetarëve këtë vit të mos frekuentojnë pishinat. Për këtë, Radio KFOR-i kontaktoi edhe kryeshefin ekzekutiv të Ndërmarrjes Lokale Publike ‘Sport Marketing Prishtina’, e cila operon me Pishinën e Germisë, Liridon Llapashtica, i cili shtoi: “Ne kemi operuar duke zbatuar rekomandimet e IKSHPK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Megjithëkëtë, me datën 30 korrik, pa asnjë paralajmërim në ambientet e Pishinës së Gërmisë është paraqitur një patrullë me dy policë dhe kërkesa e tyre ishte që të largojnë të gjithë qytetarët nga pishina. Andaj, që nga data 30 korrik nuk jemi duke operuar, jemi në pritje të ndonjë informate shtesë nga institucionet, pasi kemi mbi 40 punëtorë të cilët kanë mbetur pa punë. E sa i përket operimit, kjo sezonë ishte shumë e varfër pasi ekziston frika nga pandemia dhe qytetarët nuk janë ndjerë të lirshëm të frekuentojnë pishinat.”