Secili vend i botës shquhet për ndonjë veçori që e karakterizon, si për nga tradita, kultura apo bukuritë natyrore që kanë. Edhe Kosova, megjithëse ka një sipërfaqe të vogël, ajo ka përbërje të llojllojshme gjeologjike me shkëmbinj, prej kohërave më të vjetra e deri në epokën më të re gjeologjike. Ndër to, padyshim që veçohen edhe bukuritë natyrore të Brezovicës dhe Rugovës, sidomos si qendra skijimi dhe rekreacioni.
Ajo që i njeh mirë këto vende malore dhe shumë të tjera, është alpinistja Valdete Qollaku, e cila në një prononcim për Radio KFOR-in, shpalosi dashurinë që ka ajo për bukuritë e Brezovicës dhe Rugovës: “Prej e vogël gjithmonë më ka tërhequr ambienti i gjelbër dhe bukuritë natyrore. Duke u rritur kam nisë t’i eksploroj të gjitha vendet malore të Kosovës, të cilat po ti ruanim më mirë, do të dukeshin edhe më bukur se sot. Brezovica dhe Rugova, padyshim që janë ndër vendet malore që i kam vizituar shumë herë dhe mbushem energji dhe plot jetë kur ecë nëpër ato male”, ka thënë Valdetja.
E ndodhur në veri-perëndim të qytetit të Pejës, Rugova është rajoni i tretë i Bjeshkëve të Nemuna, të njohura ndryshe si Alpet Shqiptare dhe me të drejt tashmë njihen si Park Kombëtar, ndërsa Brezovica është një nga destinacionet turistike më të vizituara gjatë stinës së dimri, e cila ndodhet në pjesën verilindore të Maleve të Sharrit.