Të rinjtë vullnetarë nga qyteti i Prizrenit do të bëhen bashkë me datën 3 gusht të këtij viti, për një aktivitet që do të ndihmojë qytetarët e këtij qyteti në kohë pandemie, duke ju dhuruar maska për t’u mbrojtur nga virusi COVID-19.
Organizuar nga ‘Këndi Amerikan’ (American Corner) në Prizren, ky aktivitet ka për qëllim vetëdijesimin e qytetarëve për mbajtjen e maskës dhe dhurimin e disa maskave për njerëzit që jetojnë në këtë qytet, ka treguar ndër të tjera për Radio KFOR-in, udhëheqësi i ‘Këndit Amerikan’ në Prizren, Besart Osmani: “Aktiviteti quhet ‘Vullnetarët qepin maskë’ dhe qëllimi i këtij aktiviteti është vetëdijesimi i njerëzve për rolin dhe rëndësinë e bartjes së maskës. ‘American Corner’ së bashku me një grup të të rinjve do t’i përdorim pajisjet tona që i kemi, pra makinat qepëse dhe materialin tjetër, për të qepur maska dhe do t’i shpërndajmë fillimisht stafit të bibliotekës dhe më pastaj edhe qytetarëve në rrugë, të cilët do t’i hasim pa maska. Qepja e maskave do të bëhet në ambientet e këndit amerikan në Prizren”.
Puna vullnetare dhe e përbashkët ka bërë që projekte të ndryshme të jetësohen, për të ndihmuar qytetarët në kohë pandemie me aktivitete të shumta që ka organizuar vazhdimisht ‘Këndi Amerikan’ në Prishtinë dhe Prizren.