Që nga viti 2004, në shumë vende të botës , më 14 qershor, organizohet “Dita Botërore e Dhurimit të Gjakut”. Pa gjak nuk ka jetë, prandaj shënimi i kësaj dite rritë ndërgjegjësimin e gjithë njerëzimit për të shpëtuar jetë duke dhuruar gjak.
Shënimi i kësaj dite është i veçantë edhe për Qendrën Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut (QKKTGJ), e cila organizon javën e dhurimit vullnetar të gjakut nga data 14-të deri më datën 21 qershor.
Me këtë rast Radio KFOR-i kontaktoi drejtoreshën e QKKTGJ- së, Dr. Sci. Bukurije Zhubi, e cila tha: “Gjaku është lëngu i jetës dhe dhurimi i gjakut nga njerëzit me vullnet të mirë u mundëson të tjerëve vazhdimin e jetës. Nga sot e deri më 21 qershor 2020, keni rastin që të dhuroni gjak dhe me humanizmin dhe heroizmin e juaj të mbani fytyrat e buzëqeshura dhe shpresën për jetë për të gjithë ata që kanë nevojë për gjak.”
Për këtë vit, tema e fushatës së Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut është: “Bëhu hero duke dhuruar gjak!”