Për shumë fëmijë, dita e sotme 12 qershori, mund të jetë ditë e përmbushur me aktivitete atraktive, ndërkohë që shumë bashkëmoshatarë të tyre gjithandej globit janë të privuar nga e drejta e lojës, argëtimit dhe jetës së lirë. Me gjithë moshën e njomë që kanë, ata detyrohen të punojnë, si pasojë e kushteve të rënda ekonomike, apo për shkaqe të tjera.
Në një prononcim për Radio KFOR-in, Koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë (KOMF) ofroi të dhëna konkrete rreth kësaj çështjeje, nga perspektiva e Kosovës: “Aktualisht, nuk ka shërbime të veçanta që komunat duhet të ofrojnë për të adresuar mbrojtjen e fëmijëve të përfshirë në punë të rënda ; duke përfshirë qendrat e kujdesit ditor, ekipet mobile si dhe shërbimet e rehabilitimit dhe ri-integrimit (përfshirë mbështetjen sociale, arsimore dhe psikologjike për fëmijët dhe familjet e tyre)”.
Për ti mbrojtur të drejtat e fëmijëve, kudo në botë, sot shënohet ‘Dita botërore kundër punës së fëmijëve’, të cilën Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) e shpalli për herë të parë në vitin 2002, si një mënyrë për të nxjerrë në pah gjendjen e rëndë të shumë fëmijëve në botë.