‘Mendimtari pozitiv sheh të padukshmen, ndjen të paprekshmen dhe arrin të pamundurën’ – përmes kësaj thënie, dy herë ish President i SHBA, Winston Churchill, shpjegoi fuqinë e të menduarit pozitiv në jetë. Bazuar edhe në ‘ligjin e tërheqjes’, rregulli numër një është që ne, me anë të mendimeve tona, tërheqim gjërat që na ndodhin në jetë. Një gjë e tillë nënkupton se përmes të menduarit pozitiv, ne tërheqim gjëra pozitive.
Psikologia Klinike, Znj. Antigona Qenaj Sejdiu, për Radio KFOR-in thotë se në jetë gjithçka nis nga të menduarit: “Ne nuk mund të ndryshojmë ngjarjet dhe situatat jetësore, por mund të ndryshojmë qasjen tonë ndaj këtyre ngjarjeve. Pra, qasja jonë nënkupton të menduarit tonë rreth ngjarjes dhe ndikimit që ne lejojmë të ketë ajo ngjarje tek ne. Këtu fillon efekti i të menduarit në jetën tonë. Nëse ne i qasemi në mënyrë negative këtyre ngjarjeve, atëherë efekti që këto ngjarje kanë mbi ne dhe mbi jetën tonë patjetër që do të jetë negativ dhe problematik. Në të kundërtën, nëse ne i qasemi në mënyrë pozitive edhe efekti do të jetë pozitiv. Kjo pasi në varësi të këtyre mendimeve ne marrim edhe vendime jetësore. Pra, ne përmes kësaj mënyre të të menduarit i qasemi edhe jetës sonë. Mendimet pozitive në të vërtetë mund të krijojnë vlera reale në jetën tuaj dhe t’ju ndihmojnë të ndërtoni aftësi që zgjasin shumë më gjatë sesa një buzëqeshje. Ndikimi i të menduarit pozitiv mund të jetë edhe në punën tuaj, shëndetin dhe jetën tuaj, e gjithashtu edhe në raportet tuaja me njerëzit.
Psikologia Sejdiu, gjithashtu tha se “gjithë ky ndikim vjen përmes faktit se çdo mendim, shkakton një emocion dhe çdo emocion shkakton një reagim fiziologjik në trup. Pra, mendja, emocionet dhe trupi janë të lidhura ngushtë me njëra tjetrën dhe ndikimi i tyre është reciprok.”
Mos lejoni që asgjë në jetë t’ju zbehë buzëqeshjen dhe pozitivitetin që keni brenda jush.