“Dita e Gjuhës Angleze” festohet çdo 23 Prill. Kjo ditë për herë të parë u festua në vitin 2010, krahas Ditës së Gjuhës Arabe, Ditës së Gjuhës Kineze, Ditës së Gjuhës Franceze, Ditës së Gjuhës Ruse dhe Ditës së Gjuhës Spanjolle. Këto janë gjashtë gjuhët zyrtare të Kombeve të Bashkuara dhe secila ka një ditë të veçantë, të krijuar për të rritur ndërgjegjësimin për historinë, kulturën dhe arritjet e këtyre gjuhëve.
Kjo ditë u zgjodh nga Kombet e Bahskuara që të shënohet pikërisht sot, sepse mendohet se është ditëlindja e Shekspirit dhe përvjetori i vdekjes së tij, shkrimtar ky i cili pati një ndikim të madh në anglishten e sotme. Në kohën kur po shkruante, në shekujt 16 dhe 17, gjuha angleze po kalonte nëpër shumë ndryshime dhe krijimtaria e Shekspirit kontribuoi me qindra fjalë dhe fraza të reja që përdoren edhe sot.
Më shumë se 1.75 miliardë njerëz flasin anglisht, 1 në 4 njerëz në të gjithë botën.
Shënimi i “Ditës së Gjuhës Angleze”, synon informimin njerëzve për historinë, kulturën dhe arritjet që lidhen me gjuhën, duke organizuar ngjarje me leximin e librave, kuize të anglishtes, shkëmbime të poezisë dhe letërsisë dhe aktivitete të tjera që promovojnë gjuhën angleze.