“Dita Ndërkombëtare e Vajzave në TIK (Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit)” shënohet çdo vit në të enjten e fundit të muajit prill, në 140 shtete të botës, ndërsa këtë vit, kjo ditë kremtohet sot, më 23 prill.
Znj. Elena Gjevukaj, e cila ka studiuar dhe zhvillon karrierën në fushën e teknologjisë së informacionit, për Radio KFOR-in thotë se kjo ditë duhet të jetë thirrje që më shumë vajza të jenë të përfshira në këtë fushë: “Dita Ndërkombëtare e Vajzave në Teknologji shënohet çdo vit për të festuar sukseset e grave në teknologjinë e informacionit. Edhe në vitin 2020 kemi dallim të madh madh gjinor në fushën e IT-së. Mendoj që informimi me kohë i vajzave të reja për mundësitë në këtë fushë, luan rol kyç në mbylljen e këtij dallimi.”
Ndryshe “Dita Ndërkombëtare e Vajzave në TIK” shënohet si përpjekje globale që synon të ndërgjegjësojë dhe inkurajojë vajzat për ndjekjen e studimeve, ku në qendër të vëmendjes kanë sektorin e teknologjisë së informacionit.