“Teatri ka ekzistuar para nesh dhe do të ekzistojë përjetësisht!”, kjo është motoja e iniciativës së Teatrit Kombëtar të Kosovës dhe Teatrit të Gjilanit për të krijuar një kalendar online të përbashkët për muajin prill. Kësaj iniciative i janë bashkangjitur edhe Teatri “Hadi Shehu” – Gjakovë” , Teatri “Bekim Fehmiu” Prizren, Teatri “Adriana” – Ferizaj”, “Qendra Multimedia”, “Teatri Oda” dhe Teatri “Urban”.
Pikërisht për këto shfaqje online, Radio KFOR-i kontaktoi, drejtorin e Teatrit “Adriana”, nga Ferizaj, zotëri Fatmir Hyseni, i cili tregoi për qëllimin e bashkangjitjes së kësaj ideje: “Qëllimi i shfaqjeve online është që së paku publikut teatror t’iu ofrojmë shfaqjet teatrale dhe me këtë, të ndihmojmë njerëzit që të rrinë në shtëpi që t’i kalojnë këto ditë të vështira. Për fund mesazhi im do të ishte që çdo liri njerëzore e ka çmimin e vet, kësaj radhe çmimi ëshë: Të rrimë në shtëpi me të dashurit tanë, që të lëvizim më vonë. “
Të gjitha shfaqjet , që mund t’i shihni në foton e sipërme, fillojnë nga ora 20:00 dhe jepen online / livestream përmes linkut, që publikohet ditën kur është planifikuar shfaqja, në profilet zyrtare në Facebook të të gjitha teatrove përkatëse.
Përveç këtyre shfaqjeve, dashamirët e teatrit, përmes internetit, mund të shikojnë edhe shfaqje të huaja në këto adresa: www.whatsonstage.com , www.dramanotebook.com, http://londontheater.co.uk etj.