Qendra për Art dhe Komunitet – Artpolis, do të organizojë sonte (05.03.20), mbrëmjen e poezisë “Poezi për Fuqi – çdo ditë është 8 mars”. Kjo mbrëmje e poezisë do të mbahet nga ora 20:00, në Menzën “Ramiz Sadiku” në Prishtinë, me poetë, aktivistë e artistë të shumtë. Radio KFOR-i ka kontaktuar zyrtaren për Komunikim dhe Marrëdhënie me Publikun në Qendrën “Artpolis”, Znj. Venera Ismaili, e cila tregoi se cili është qëllimi i organizimit të kësaj mbrëmje, derisa ka bërë të ditur se ajo është e hapur për të gjithë pa dallim etnie, moshe e gjinie: “Qëllimi i organizimit të kësaj mbrëmje është fuqizimi i gruas përmes artit të shkruar. Artistë/e, poetë/e e aktivistë/e do të na bashkohen të performojnë poezi të njohura, të shkruara nga poetë/e të njohur vendor e botëror. Poezitë do të performohen në gjuhë të ndryshme që të ofrojmë një ambient të përshtatshëm për të gjithë, e të shpërndajmë fjalën dashuri në disa gjuhë. Pjesëmarrës në ngjarje mund të jenë të gjithë ata/ato që e duan poezinë, dhe të gjithë që dëshirojnë t’i takojnë poetët dhe artistët. Pra, nuk ka dallim moshe, etnie apo gjinie. Përveç kësaj do të ketë edhe muzikë, andaj ky event iu takon të gjithëve. Hyrja është pa pagesë. Përmes kësaj mbrëmje dhe përmes shumë aktiviteteve tjera që ne i bëjmë gjatë vitit, e që kryesisht e kanë për qëllim fuqizimin e gruas dhe të rinjve, po ashtu, ne mundohemi të japim mesazh që gruaja duhet të trajtohet dinjitetshëm në çdo ditë të vitit, duhet fuqizuar ato, duke krijuar mundësi për një jetë të barabartë. Vlera e grave në familje, punë e kudo nuk ka çmim andaj ato duhet ta kuptojnë se janë shtyllë dhe thesar i një shoqërie.”
Në mbrëmjen poetike që do mbahet sonte do të jenë prezent: Meli Qena, Sibel Halimi, Shpëtim Selmani, Qëndresa Kajtazi, Daniela Markaj, Arbër Selmani, Ardiana Rexhepi dhe Eddy Galjusi. Ky aktivitet implementohet nga “Artpolis” dhe mbështetet nga UNFPA Kosovo dhe “CFD– Zvicër”.