Një eksperiencë fantastike, me borë, muzikë, argëtim e shpërblime të shumta, si Ski pass-a, çokollatë të nxehtë, çaj dhe kafe u ofruan në eventin “Road Show”, organizuar nga Radio KFOR-i në bashkëpunim me Revistën For You, më 29 shkurt, në Brezovicë.
Nga ora 12:00 deri në orën 15:00, të rinj të komuniteteve të ndryshme nga e gjithë Kosova, u bashkuan me magjinë e programit “Road Show”, të udhëhequr nga moderatorë shqiptarë dhe serbë, duke treguar se zëri i Radio KFOR-it është zëri i paqes, tolerancës dhe bashkëjetesës multietnike mes të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.
Me këtë rast vizitorët patën mundësinë nga afër të shijojnë magjinë e këtij organizimi, të dimrit dhe lojërave, të kënaqen me muzikë të mirë, argëtuese dhe të fitojnë çmime të shumta.
Sa shpesh vijnë njerëzit në Brezovicë dhe cila ishte përvoja e tyre kësaj radhe, mësuam nga njerëz që donin të kalonin fundjavën në një vendpushim skijimi, unik për shumë nga pasuritë e Maleve të Sharrit: “Quhem Aleksandar Milosavljevic, unë vij nga Mitrovica. Për mua është hera e parë që vij këtu, qenka shumë bukur. Rruga ishte pak më e ngadaltë deri këtu, por është e shkëlqyeshme, është një ndjenjë e mirë. Nuk është si malet e tjera, shkoj shpesh në Kopaonik, por këtu është më mirë.”
– Të gjithë pjesëmarrësit e lojës u shprehën mirënjohës: “Unë jam Lorika Saqiri, fitova një Ski pass dhe një dhuratë. Kemi kaluar shumë mirë sot, do të thotë se ka qenë një organizim shumë i mirë. Të rinjve u kisha thënë që të kenë sa më shumë organizime sportive, të merren me aktivitete, të mos jenë pasiv dhe Radio KFOR-in me dëgju normalisht si gjithmonë.”
Faleminderit që na ndihmuat të krijojmë kujtime së bashku! Ky është vetëm fillimi! Dëgjojeni Radio KFOR-in, do vijnë surpriza të tjera!