Sot (13.02.20) në ‘Ditën Ndërkombëtare të Radios’, Universiteti i Prishtinës (UP) ‘Hasan Prishtina -Departamenti i Gazetarisë’, do ta shënojë me një arritje të re.
Nga ora 16:00, në faqen e ‘Universitetit të Prishtinës’, www.uni-pr.edu, do të keni mundësi të dëgjoni për herë të parë programin eksperimental të RadioUP-së.
Për të mësuar më shumë rreth kësaj radioje, Radio KFOR-i kontaktoi me profesorin, Alban Zeneli, nga departamenti i Gazetarisë në UP, i cili tregoi më shumë rreth Radio UP-së që përfshin edhe studentët që do të përfitojnë nga ky projekt: “Sot fillojmë transmetimin ekperimental në internet të Radio UP-së. Kjo radio do të jetë në pronësi të ‘Universitetit të Prishtinë’, ndërkohë që do të menaxhohet profesionalisht nga ana e departamentit të gazetarisë. Pas fazës eksperimentale do të angazhojmë një grup studentësh të cilët do të kenë mundësi ta realizojnë praktikën për 3 muaj në këtë radio, në mënyrë që studentët tanë të praktikojnë punën por në të njejtën kohë edhe të prodhojnë informacione që janë në interes të studentëve dhe stafit në lidhje me zhvillimet brenda universitetit.”
Profesor Zeneli, tregoi gjithashtu se krijimi i ‘Radio UP’, ka ardhur si rezultat i disa donacioneve për departamentin e gazetarisë, derisa tha se sot kanë paraparë të transmetojnë një program inagurues që do të zgjasë rreth 10 minuta dhe përfshin fjalimin e rektorit të UP-së, Marian Dema dhe shefit të departamentit të gazetarisë, Milazim Krasniqi. Inaugurimi i RadioUP-së do të bëhët në kuader të shënimit të 50 vjetorit të ‘Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.