Të rinj të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë janë bërë bashkë në garën e skijimit, e cila do të mbahet këtë fundjavë, nga 14 shkurti deri më 16 shkurt 2020 në Brezovicë, organizuar nga pija më e re energjike “Go +”.
Radio KFOR-i ka kontaktuar me brend menaxherin e pijës më të re energjike ‘ Go +’, Ermal Berishën, i cili ka treguar se cila është ideja e organizimit dhe kush mund të marrë pjesë në këtë garë: “Ideja e kësaj gare është me i përkrah sportistët e rinj në vend. Kemi nisur me Brezovicë, ku aktivitetet nisin nga 14 shkurti. Ka garues prej moshës 15 vjeçare deri në moshën 40 vjeçare, çdo person mundet me marrë pjesë pa problem, vetëm duhet të lajmërohet në rrjetin tonë social në Facebook. I ftojmë edhe ata që nuk marrin pjesë në garë, që të vinë dhe ta shijojnë eventin, gjithçka po doket mirë deri më tani. Thjesht, le të vinë me u kënaq edhe me dëgju muzikë, me pa skiatorë të mirë, e pse jo edhe me skiju, sepse janë disa shpërblime shumë të mira. Gara është e hapur për të gjithë. Ka garues të komuniteteve të ndryshme që kanë paraqit pjesëmarrjen, madje kemi garues nga vendet e jashtme si Franca, Italia apo Gjermania. Po ashtu do të ketë dy disiplina të kësaj gare, një për meshkuj një për femra.”
Tutje, Z. Berisha ka treguar se aktivitetet do të nisin të premtën, më 14 shkurt, nga ora 08:00 deri në orën 10:00, ku do të bëhet lajmërimi i fituesve dhe tërheqja e numrit garues, më pas të shtunën, më 15 shkurt, nga ora 09:00 deri në orën 11:00 do të bëhet stërvitja dhe kualifikimet, ndërsa në orën 22:00, në kuadër të kësaj gare do të organizohet edhe një ndejë për pjesëmarrësit. Finalja e kësaj gare do të fillojë të dielën, më 16 shkurt, nga ora 10:00, derisa, në të njëjtën ditë, duke filluar nga ora 15:00 do të mbahet një ndejë përshëndetëse. Fituesit e kësaj gare do të shpërblehen me vlera të ndryshme monetare. Për vendin e tretë do të ndahen 500 euro, për vendin e dytë 700 euro, ndërsa fituesi i vendit të parë do t’i fitojë 1.000 euro. Të gjitha garat do të monitorohen nga Federata Skitare e Kosovës.