Sot, (24 janar) me fillim nga ora 13:30, në ‘Këndin Amerikan’ në qytetin e Prizrenit, do të fillojë shfaqja e disa dokumentarëve modern amerikanë. Në këtë ngjarje ku janë të ftuar të rinjtë e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfitojnë njohuri të shumta, të cilat për Radio KFOR-in i shpalosi zyrtari i ‘Këndit Amerikan’ në Prizren, Besart Osmani: “Shfaqja e filmave amerikan do të bëhet nga një moderator amerikan, i cili përmes këtyre filmave e promovon kulturën amerikane ku të rinjtë mund të mësojnë më shumë gjëra interesante për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Janë filma të seleksionuar, filma që japin mesazhe edukative, kulturore e arsimore, ku të rinjtë përveç që kanë mundësi t’i shohin këta filma, në fund të secilit film kanë mundësi të diskutimit në gjuhën angleze si dhe do të ketë edhe kuize për të parë se sa e kanë kuptuar të rinjtë mesazhin e atij filmi.”
Ndryshe, dokumentarët amerikanë që do të shfaqen më këtë rast janë: “Won’t You Be My Neighbor”, “Free Solo”, “American Factory”, “Sicko” si dhe “Super Size Me”.