Të rinj nga komuniteti shqiptar dhe serb në Kosovë në orët e para të mëngjesit të sotëm (10.12.19), kanë nisur një udhëtim nëpër qytete të ndryshme të Kosovës me një autobus, të cilin e kanë emërtuar “n’Autobus të të Drejtave të Njeriut”.
Ky aktivitet është organizuar nga “Youth Initiative for Human Rights (YIHR-KS)”, në bashkëpunim me “Kosova Young Lawyers (KYL)” dhe në mbështetje të INL dhe UNHCR.
Koordinatorja e këtij programi, Trina Binaku, për Radio KFOR-in ka treguar se aktiviteti “n’Autobus të të Drejtave të Njeriut”, është organizuar sot për nder të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe shtoi:
“Janë 40 pjesëmarrës në këtë aktivitet, të rinj nga komunitete të ndryshme, mirëpo edhe shqiptarë dhe serbë bashkë. Ideja e këtij organizimi ka qenë që të mblidhen bashkë aktivistë të të drejtave të njeriut, sidomos ata që janë më të rinj në këtë fushë dhe së bashku të udhëtojnë nëpër qytete si Mitrovica, Prizreni, Gjilani dhe Prishtina dhe njëkohësisht të bashkëbisedojnë mes vete dhe me qytetarë. Një nga pikat kryesore të këtij aktiviteti është diskutimi dhe analizimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut”, tha Binaku.
Ky aktivitet është organizuar në kuadër të aktiviteteve të Javës për të Drejtat e Njeriut.