‘Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut’ (YIHR KS) ka organizuar edicionin e gjashtë të ‘Javës së të Drejtave të Njeriut’, që do të zhvillohet përgjatë datave 9 deri më 12 dhjetor 2019, në Kosovë.
Në kuadër të kësaj jave organizatorët kanë paraparë të organizojnë disa aktivitete që mbulojnë këtë fushë, në komuna të ndryshme të Kosovës. Koordinatorja e programit nga organizata YIHR KS, Trina Binaku, tregoi për Radio KFOR-in që këtë vit java e të Drejtave të Njeriut do të fokusohet në disa tematika të rëndësishme:
“Temat që do të trajtohen në këtë edicion të Javës së Drejtave të Njeriut do ta sjellin fokusin në çështje jetike që lidhen me të drejtat e njeriut dhe sistemin e drejtësisë në Kosovë. Përveç Prishtinës, disa nga aktivitete do të organizohen edhe në Komunën e Mitrovicës, Gjilanit dhe Prizrenit.”
Java e të Drejtave të Njeriut organizohet në kuadër të projektit ‘Të Rinjtë për Drejtësi’, që mbështetet nga ‘Departamenti i Shtetit Amerikan’.
Ky aktivitet organizohet edhe nga organizata ‘Kosovo Young Lawyers’ dhe mbështetet nga UNCHR.