Qendra “Bonevet” do të organizojë sot (28 tetor) një punëtori të hapur për krijimin e dekorimeve mahnitëse dhe të frikshme për Festën e Halloween-it.
Punëtoria do të organizohet nga ora 17:30, ndërsa mund të marrë pjesë çdo person që është entuziast për festën e Halloween-it, mjafton të regjistrohet në Qendrën “Bonevet”.
Radio KFOR-i ka kontaktuar Eglantina Avdiun, e cila punon si mentore në “Bonevet”, e cila u ka bërë thirrje të rinjve të marrin pjesë dhe të shprehin kreativitetin e tyre në dekorime dhe kostume për këtë festë.
“Meqë fëmijëve u pëlqen festa e Halloween-it, kemi vendosur që këtë herë të bëjmë diçka më të veçantë, ku të rinjtë përveç që do të festojnë, ata do të kenë mundësi edhe t’i krijojnë dekorimet dhe kostumet që iu pëlqejnë. Prandaj, i ftojmë të gjithë fëmijët dhe të rinjtë të cilët janë entuziast të festës së Halloween-it që t’i bashkohen këtij aktiviteti. Nuk kemi ndonjë grupmoshë të limituar, pasi ka shumë grupmosha që e festojnë këtë festë”, tha Avdiu për Radio KFOR-in.
“Halloween” është nata mes 31 tetorit dhe 1 nëntorit, e cila festohet në shumë vende të botës. Ndryshe, kjo festë njihet edhe si “Nata e Shtrigave”. Gjatë kësaj feste njerëzit vishen me kostume të ndryshme, shpeshherë të frikshme, dhe shkojnë që të vizitojnë njëri-tjetrin, ose mblidhen së bashku për të festuar.