“Anibar” ka organizuar një punëtori të animacionit për promovimin e trashëgimisë kulturore, ku për pesë ditë, dhjetë të rinj do të mësojnë më shumë për muzikën dhe vallëzimin tradicional, duke realizuar edhe një video të shkurtër të animuar, e cila do të shfaqet bashkë me disa filma të tjerë të disa punëtorive që parashihen të mbahen deri në shkurt të vitit 2020.
Arlinda Kastrati, koordinatore e projektit “Promovimi i trashëgimisë kulturore në rajonin e Pejës”, përmes Radio KFOR-it tregoi më shumë rreth projektit në fjalë:
“Kjo punëtori organizohet në kuadër të projektit të ANIBAR-it “Promovimi i trashëgimisë kulturore në rajonin e Pejës” që realizohet në kuadër të projektit “GrassRoots Action Support” që implementohet nga IKS, Lens dhe FES, financohet nga Bashkimi Evropian dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë. Me anë të punëtorive, të organizuara nga Anibar dhe programit të edukimit, të cilin e zhvillon, gjeneratat e reja po aftësohen në fushën e animacionit duke i krijuar gjeneratat e para të animatorëve në Kosovë. Në mesin e dhjetë të rinjve që po marrin pjesë në këtë punëtori, përveç qytetit të Pejës dhe rrethinës, ka pjesëmarrës edhe nga qytete tjera”, ka thënë Kastrati për Radio KFOR-in.
Ajo tregoi se ligjëruese në këtë punëtori është Kaltrina Berisha, e profesionalizuar në fushën e animacionit, dhe fare në fund u bëri thirrje të rinjve nga të gjitha komunitetet që të bëhen pjesë e punëtorive të animacionit.