“Limiti i gjuhës time nënkupton limitin e botës time” – kjo thënie gjashtë fjalëshe e Ludwig Wittgenstein vë në pah fuqinë e gjuhës në një shoqëri, me theks të veçantë në një shoqëri multietnike, e cila para se gjithash karakterizohet me shumëllojshmëri gjuhësore.
Barrierat gjuhësore janë ato që i vendosin kufij botës tuaj dhe ato që deri më tani kanë pamundësuar përfshirjen dhe bashkëveprimin e nevojshëm midis komuniteteve të ndryshme në Kosovë. Por, jo më, falë Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, Ambasadës Britanike në Prishtinë dhe Qendrës për Iniciativa Sociale.
Këta tre akterë bashkuan forcat dhe pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Gjuhëve (26 shtatorin), lansuan fjalorin e parë në internet shqip – serbisht/ serbisht – shqip, në objektin e Bibliotekës “Pjetër Bogdani”, në Prishtinë.
Për hartimin e një fjalori të tillë prej 20 mijë fjalësh, më voluminozin në 30 vitet e fundit, kanë punuar një grup prej tetë ekspertësh nga Prishtina dhe Beogradi, për gjashtë muaj me radhë.
Tërheqja e barrierave gjuhësore mes komunitetit shqiptar dhe atij serb në Kosovë ishte një nga qëllimet kryesore të këtij fjalori, thotë një nga autorët e tij, profesor Qemal Murati.
“Këta fjalorë do të ndihmojnë tërheqjen e barrierave gjuhësore për përfshirjen dhe bashkëveprimin midis komuniteteve të ndryshme në Kosovë dhe promovimin e shumëgjuhësisë dhe rëndësinë e mësimit të gjuhës”.
Bashkëpunimi mes ekspertëve të fushave të njëjta, por që i takojnë etnive të ndryshme, sjell fryte të shëndosha për gjithë shoqërinë. I tillë është edhe bashkëpunimi i ekspertëve gjuhësor nga Prishtina e Beogradi për hartimin e këtij fjalori, thotë autorja tjetër e tij, Ana Sivacki, e cila aktualisht është e angazhuar si profesoreshë në Universitetin e Beogradit.
“Shpresoj që jo vetëm që kemi zhvilluar një fjalor me vlerë të madhe të përdorimit, por në disa mënyra kemi nxitur bashkëpunimin midis ekspertëve nga Beogradi dhe Prishtina edhe në fusha të tjera shkencore”.
Gjuhët janë thesari më i madh i botës. Andaj, aq më shumë gjuhë që di, aq më e pasur intelektualisht do të jesh, thotë profesoresha tjerë e Universitetit të Beogradit, Merima Krijezi, e cila po ashtu është një nga autoret kryesore të këtij fjalori.
“Së pari, është shumë e rëndësishme të flasësh në më shumë se një gjuhë. Ju e dini se çdo gjuhë është një thesar dhe një dritare, dhe nëse keni të hapur më shumë se një dritare, ju do të krijoni lidhje dhe do të lejoni depërtimin e dritës së diellit në brendësi”.
Një nga përkrahësit më të mëdhenj të projektit për lansimin e fjalorit serbisht-shqip dhe shqip-serbisht, ishte edhe Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë. Ishte ambasadori Nicholas Abbott, i cili në lansimin e këtij fjalori, përçoi një mesazh domethënës për të gjitha komunitetet në Kosovë.
“Gjuhët i bëjnë komunitetet bashkë, mundësojnë krijimin e shoqërisë, biznesit dhe krijojnë hapësirë për çështje të përbashkëta. Është mëse e qartë se të rinjtë në Kosovë duhet të kenë mundësi të flasin me njëri tjetrin, të kuptojnë njëri tjetrin dhe të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë për Kosovën. Progresin e sjell të kuptuarit e gjuhëve të njëri tjetrit”.
Fjalori shqip – serbisht / serbisht – shqip, parashihet që deri në qershor të vitit 2021 të përmbajë deri në 60 mijë fjalë.