Se pushimet janë të mira për shëndetin, këtë e ka vërtetuar tashmë edhe shkenca. Nuk ka rëndësi sa pushoni, apo ku pushoni, e rëndësishme është të pushoni.
Pushimet mbajnë larg sëmundje si hipertensioni, kolesteroli i lartë, diabeti e sëmundje të tjera të zemrës.
Për të folur për rëndësinë e pushimeve, atyre të përjavshme dhe vjetore, Radio KFOR-i ka kontaktuar psikologen Qëndresa Shabanin, e cila tha:
“Po realisht edhe studime të ndryshme kanë arritur në konkluzione që pushimet ndikojnë në uljen e stresit. Kryesisht hulumtimet që janë bërë edhe nga Shoqata e psikologëve amerikanë kanë arritur në përfundim se pushimet funksionojnë edhe për të zvogëluar stresin duke i larguar kështu njerëzit nga aktivitetet, mjediset apo rutina që kanë pasur në përditshmëri, por gjithashtu mund të ndikojë edhe në përmirësimin e problematikave të ndryshme që kemi me shëndetin tonë, qoftë me sëmundje të zemrës, nëse kemi tension apo pagjumësi, domethënë rregullon edhe problematika të tjera. Për shembull, një mori studimesh që janë bërë për sëmundjet e zemrës kanë rezultuar që njerëzit që kanë bërë pushime të paktën dy herë në vit kanë rezoltuar me më pak simptoma të problemeve me zemër apo pagjumësi, kanë pasur realisht një përmirësim, net më të qeta e gjumë të pandërprerë. Kështu që përfitimet mendore dhe fizike nga pushimet janë kryesisht pozitive dhe rezultojnë në një nivel më të përmirësuar si të mirëqenies psikologjike, po ashtu edhe të asaj fizike dhe mendore”.
E Qëndresa ka edhe një porosi sa i përket pushimeve për të gjithë dëgjuesit e Radio KFOR-it:
“Në qoftëse ende nuk keni realizuar pushime të tilla është mirë të bëni një planifikim të tillë, të keni një pushim më të relaksuar dhe të largoheni nga kjo pjesa e përditshmërisë dhe aktiviteteve stresuese që ju bëjnë të keni si rezultat i punës, për të rimarrë vetën, për të qenë më produktiv dhe pse jo, rritë edhe lumturinë dhe kënaqësinë në jetë, kështu që për një shëndet më të mirë dhe të jeni më të qetë”.
Pushimet janë arma më e mirë për ta mposhtur lodhjen dhe stresin, andaj assesi mos i lini anash.