Pas sukseseve të vazhdueshme në Industrinë filmike vendore e botërore, regjisori i njohur Samir Karahoda, është pranuar në kategorinë garuese të festivalit prestigjioz “BFI London Film Festival 2019”, që do të mbahet nga 2-13 tetor, në Londër, me filmin e tij dokumentar “Në Mes”.
Ky film do të garoj në kategorinë e filmave të shkurtër dhe është një nga 12 filmat e përzgjedhur për këtë çmim, që i dedikohet filmave që kanë një trajtim të veçantë kinematografik dhe një trajtim të sigurt të temës dhe të përmbajtjes.
Filmi do t’i prezantohet audiencës Londineze përmes 3 shfaqjeve në seksionet “Debate” dhe “Prezantime Speciale”, atje ku do të paraqiten filmat më të mirë të botës.
Filmi “Në Mes” është prodhim autentik nga Kosova dhe është realizuar me mbështetje të Qendrës Kinematografike të Kosovës, Bankës për Biznes, Komunës së Prizrenit dhe Prishtinës.