Për herë të parë në Kosovë, për të gjithë adhuruesit e muzikës rock do të organizohet Festivali ‘Rock United’, i cili do të mbahet më 6 dhe 7 shtator, në Amfiteatrin e Pishinës së Gërmisë.
Ky festival do të bëjë bashkë rock grupet nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, në mbështetje të muzikës dhe kulturës rock, nën moton, “Një për të gjithë, të gjithë për Rock”.
Gjatë dy netëve të festivalit do të ketë dymbëdhjetë performanca live të bendeve lokale dhe rajonale, si: ‘Grupi 403’,‘The Mole Pack’, ‘Zëada’, ‘Vini e Veni, Gillespie, Purgatory, ‘Elita 5’ dhe bende të tjera.
Në emisionin e Radio KFOR-it, ‘Machiato Lounge’, me moderatore Pranvera Behramin, në cilësinë e mysafirit ishte i ftuar zëdhënësi i këtij Festivali, Kreshnik Berisha, i cili ka zbuluar më shumë detaje për organizimin.
“Unë personalisht merrem me rock që nga vitet e 90’ta, ku para 25 viteve kam shkruar këngë rock për herë të parë, ndërsa para 23 viteve kam pasur performancën e parë rock, bashkë me bendin tim që atëherë quhej ‘In’, e më pas ia kemi ndërruar emrin në ‘Trampolinë’. Kjo është arsyeja pse tash po flas nga ky pozicion, si përfaqësues i një Festivali të Rock-ut. Kjo është herë e parë që po organizohet Festivali “Rock United”, por do të bëhet tradicional. Festivali do të zgjasë dy net (më 6 dhe 7 shtator), ku do të performojnë 12 bende, gjashtë një natë e gjashtë të tjera në natën e nesërme. Biletat janë shumë lire, 5 euro është çmimi i biletës për një natë, ndërsa për dy net mund të paguani 8 euro. Në fakt, i bie 70 cent me pagu hyrjen për performancën e një bendi. Biletat mund t’i blejnë në Rockuzinë, por pika të shitjes ka edhe në qytetet tjera si Prizreni, Gjilani, Mitrovica, Theranda e të tjera”, ka thënë Berisha.
Përveç informatave të shumta për festivalin, gjatë emisionit u ndanë bileta për lexuesit e Radio KFOR-it, të cilët iu përgjigjen disa pyetjeve në lidhje me rock-un.
Organizatorët e festivalit kanë paraparë që vitin e ardhshëm të ftojnë edhe rock grupe ndërkombëtare.