Dita e sotme (20 gusht), shënon fillimin e edicionit të nëntë të Festivalit të arteve dhe kulturës tradicionale “Etno Fest”.
Ky Festival, i cili do të zgjasë deri më 25 gusht, kthen në vëmendje të njerëzve traditën dhe trashëgiminë materiale, por edhe shpirtërore.
Po ashtu, e veçanta e këtij edicioni do të jetë lidhshmëria që do t’u bëhet riteve të vjetra, muzikës tradicionale me trendët modernë, duke i pasuruar dhe duke i bërë më të qasshme për publikun e ri.
Për të mësuar më shumë rreth përgatitjeve dhe programit të Festivalit për këtë vit, Radio KFOR ka biseduar me drejtorin artistik të Festivalit, Ilaz Hysaj, i cili tha:
“Është Festivali i vetëm që i ofron publikut, mediave, studiuesve të ndryshëm të domeneve të kulturës, të artit e traditës, informata në shumë aspekte, si në aspektin e riteve të vjetra, këngëve të vjetra arkaike, këngë të reja që janë të bazuara në të kaluarën. Kemi ekspozita të ndryshme që kanë lidhshmëri në një farë forme me kulturën tonë, kemi arkitekturë autoktone, ndërtime të vjetra, kemi ekspozita të pikturave, skulpturave dhe artefakteve të vjetra, ekspozita etnografike shumë të rëndësishme, të cilat në një formë apo në formën tjetër shprehin kulturën tonë të vjetër, e cila po rrezikohet të zhduket”.
Në edicionin e sivjetmë të Festivalit do të mbahet edhe ekspozita e akuarelit në bashkëpunim me ‘IWS Kosova’, ku pritet të marrin pjesë artistë nga 14 shtete të ndryshme.
Përveç ekspozitës në fjalë, në etnokompleksin e fshatit Kukaj do të organizohen edhe 64 ngjarje të ndryshme, me një numër të madh pjesëmarrësish nga Kosova dhe vendet e rajonit.