Regjisori nga Kosova por që po e realizon karrierën e tij artistike në Amerikë, Erblin Nushi, ka filluar përgatitjet e para për xhirimet e filmit të tij më të ri ‘I Love You More’ (Unë të dua më shumë). Në këtë projekt filmik të cilin po e realizon në Kosovë, Erblini ka fituar disa çmime në Amerikë dhe Kosovë dhe aty ai po trajton historinë e dashurisë së parë si adoloshentë dhe sfidat e shumë njerëzve në lidhje me dashurinë. Ky film sjell një dimension të ri të dashurisë së ndaluar, duke përfshirë edhe vështërsitë me të cilat përballet komuniteti LGBTQI në botë. Në një intervistë ekskluzive për Radio KFOR-in, Erblini tregoi për qëllimin dhe mesazhin që sjell filmi për të:
“Filmi është njëra ndër mënyrat më të fuqishme dhe më kreative për të ndarë një mesazh me të tjerët. Unë do të vazhdoj të shoh botën përmes kamerës dhe të shfaq tregime që prekin njerëzit emocionalisht. Filmat e mi kanë për qëllim të hulumtojnë errësirën e të rriturve dhe origjinën e saj që shpesh lidhet me traumat e fëmijërisë. Në shkrimet e mia përçoj atë çfarë kam mësuar nga eksperiencat dhe gabimet e mia të mëparshme. Shfaqja e tyre përmes filmit është e rëndësishme, sepse dua të bëj filma që edukojnë, inspirojnë dhe fuqizojnë njerëzit ashtu që të mos lëndojnë veten dhe të tjerët”, tha Erblini.
Duke shfaqur filmat e tij në shumë festivale botërore, regjisori Nushi, ka fituar dy çmime të rëndësishme kinematografike, ‘Golden Remi Award’ dhe ‘Student Production Award’. Në filmin ‘Unë të dua më shumë’, do të luajnë aktorët Irena Cahani dhe Luan Jaha, ndërsa producent i filmit është Lulzim Guhelli dhe drejtor i fotografisë Isak Duraku.