Meqenëse sektori i Teknologjisë Informative edhe në Kosovë (TIK), është njëra prej industrive që po zhvillohet më së shpejti në krahasim me industritë tjera, më 26 prill do të mbahet konferenca ‘Girls in ICT’, që përkon me ‘Ditën Ndërkombëtare të Vajzave’. Është vlerësuar se nga 1,000 vajza me diplomë Bachelor-i në Europë, vetëm 29 prej tyre janë të certifikuara në fushat e teknologjisë, që është shqetësuese duke marrë për konsideratë që TIK është i vetmi sektor ku dallimi në paga sa i përket gjinisë, është jo-ekzistent.
Siç na njoftojnë organizatorët, kjo është arsyeja e realizimit të kësaj konference, në mënyrë që të ngritet niveli i përfshirjes së vajzave dhe grave në këtë fushë. “Girls in ICT” organizohet nga IPKO Foundation në bashkëpunim me A.U.K – Institutin e Trajnimit dhe Zhvillimit, KUSA dhe e mbështetur nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ambasada e Amerikës në Kosovë.