Ajo që për dekada e ka pasuruar muzikën shqipe me këngë të bukura e përmbajtësore, të cilat i kanë mbijetuar kohës, kompozimet e të cilës janë shpërblyer me çmime të rëndësishme ndër vite, sot (20.12.2018), në ora 17:00, në Qendrën Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë, do të rrëfej rrugëtimin e krijimtarisë së saj muzikore për ata që e duan muzikën e mirëfilltë shqipe.
Pranvera Badivuku, e cila njihet si njëra ndër kompozitoret e para shqiptare, do të jetë protagoniste në këtë takim mes artistëve dhe dashamirëve të muzikës, e cila në një prononcim për Radio KFOR-in, na tregoi se si frymëzohet për krijim të këngëve apo vijës melodike.
“Zakonisht kompozoj kur jam vetëm, ka raste kur jam duke bërë ndonjë punë shtëpie dhe më vjen në mendje melodia, ndërsa kur e kam tekstin, më mjafton një motiv i përshtatshëm”, tha kompozitorja Badivuku.
Projekti ‘KultWoman’, mbështetet nga ‘Culture for Change’ dhe organizohet nga KultPlus.