Komuna e Prishtinës, Qendra për Punë Sociale dhe Policia e Kosovës në mbështetje të GIZI-t kanë hartuar një informatorë (fletushkë) për qytetarë lidhur me informimin për fëmijët që kërkojnë lëmoshë në rrugë dhe ata që bëjnë punë të rënda.
Dje më 05 korrik, në Prishtinë, tek semaforët afër Katedrales u ndanë këto fletushka , duke i lutur vozitësit të ndërprenë dhënien e lëmoshës për fëmijë që rrinë atypari.
Për këtë çështje ne kontaktuam, Kapitenin Salih DRAGIDELLA nga Drejtoria e Policisë në Bashkësi dhe Parandalim, i cili enkas për Radio KFOR-in tregoi se këta fëmijë jetojnë në kushte të papranueshme fizike, sociale, psikologjike, nuk shkojnë në shkollë dhe shpesh herë janë subjekt i formave të ndryshme të dhunës, abuzimit dhe shfrytëzimit.
“Qëllimi i kësaj broshure është sensibilizimi i qytetarëve që mos tu japin lëmosh personave dhe fëmijëve dhe tu tregohet qytetarëve se sa më shumë që të japin të holla aq më shumë fëmijët do të ekspozohen në rrugë dhe mund të jenë viktima të abuzimeve dhe keqpërdorimeve nga ana e personave të pandërgjegjshëm por mund të jenë edhe viktima të ndonjë aksidenti rrugor”, tha më tutje zotëri Dragidella.
Vetëm gjatë vitit 2016 janë identifikuar 215 fëmijë të tillë, ndërsa në vitin 2017 janë identifikuar 200 fëmijë.
Për t’i shpëtuar këta fëmijë, në fletushkë ndër të tjera theksohet:
“Qytetarë nderuar, ju që mendoni se përmes dhënies së lëmoshës po ofroni përkrahje, në fakt ju po i dëmtoni fëmijët, po ua humbni ardhmërinë, po e stimuloni këtë dukuri, po rritni numrin e lëmosh kërkuesve në rrugë. Apeli ynë është që të ndërpritet dhënia e lëmoshës. Për secilin rast të informohen institucionet përkatëse, Policinë e Kosovës dhe Qendrën për Punë Sociale-Prishtinë. Nëse doni t’i ndihmoni këta fëmijë, ju duhet të kontaktoni Policinë e Kosovës, në numrat: 0800 11 11 2 dhe 192 ose Qendrën për Punë Sociale, në numrin 044 278792.”