Festivali Ndërkombëtar për Dokumentarë dhe Filma të shkurtër, “DokuFest” tashmë ka bërë publik programin e filmave garues në edicionin e17-të të tij. Festivali do të shfaqë 100 filma në gjashtë kategoritë garuese të tij, që përfaqësojnë 40 shtete, përfshirë dhjetë premiera botërore, katër premiera ndërkombëtare dhe një numër të premierave evropiane dhe rajonale.
Të gjithë filmat tjerë që shfaqen në festival, do të kenë premierën kosovare.
Ajo që e karakterizon edicionin e sivjetmë të këtij festivali është numri i madh i filmave të shkurtër dhe të kinemasë eksperimentale.
Vlen theksuar se ka filmbërës të cilët do të rikthehen të prezantojnë filmat e tyre për herë të dytë ose tretë, ndërsa programi përfshinë edhe filmëbërës të rinj, puna e të cilëve prezantohet nëpër seksionet garuese.
Duke ju referuar njoftimit për media, në ditët në vijim festivali do të vazhdojë të shpallë programet tjera speciale, përfshirë edhe programin e njohur “View From the World” si dhe programin e kuruar për temën qendrore të festivalit .
Programet garuese janë si në vijim: Gara e dokumentarëve të ballkanit, Gara e dokumentarëve ndërkombëtar, Gara e filmave të shkurtër, Gara e dokumentarëve për të drejtat e njeriut, Gara e dokumentarëve të mjedisit dhe Gara kombëtare.