Çdo vit, më 8 maj, shënohet “Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe”, një ditë që nderon vlerat themelore të ndihmës humanitare, solidaritetit dhe mbështetjes për njerëzit në nevojë, kudo në botë. Kjo datë përkon me ditëlindjen e themeluesit të Kryqit të Kuq, Henry Dunant i cili është edhe fitues i parë i Çmimit Nobel për Paqe.
“Dita Botërore e Kryqit të Kuq dhe Gjysmëhënës së Kuqe” është një moment reflektimi dhe falënderimi për miliona vullnetarë dhe profesionistë, që çdo ditë, punojnë në kushte të vështira për tu ofruar ndihmë shëndetësore, mbështetje psiko-sociale, ndihma emergjente dhe mbrojtje për të gjithë ata që ndodhen në rrezik, në kohë lufte, katastrofash natyrore apo krizash humanitare.
Tema e këtij viti për të shënuar këtë ditë është “Të mbajmë njerëzimin gjallë, shpresojmë, ndihmojmë, shërojmë”, e cila thekson përpjekjet e palodhura të vullnetarëve dhe punonjësve humanitarë, për të sjellë shpresë, për të ofruar ndihmë dhe për të mbështetur shërimin e të gjithëve në nevojë.