Në kuadër të projektit ‘ArtEd-Rritemi përmes artit në arsimim’, Qendra për Art dhe Komunitete – Artpolis, në bashkëpunim me 20 shkolla kampione në Kosovë, po vazhdojnë aktivitete të ndryshme për nxënësit në fusha të ndryshme.
Sot (24 korrik), shkolla fillore ‘Abdullah Shabani’ në Shtime, do të prezantojë online video dramën e punuar nga nxënësit e kësaj shkolle, duke filluar nga ora 12:00, në faqen e Facebook-ut ‘Travelling Theater for Children and Youth’.
‘TechNO – bullizmit kibernetik’, do të jetë tema e radhës e trajtuar nga nxënësit e shkollës në fjalë, ndërsa për Radio KFOR-in menaxherja e këtij projekti në Artpolis, Venera Ismaili, tregoi për temat e trajtuara në këto video dhe rëndësinë e tyre për nxënësit: “Të gjitha këto video trajtojnë një temë që iu intereson të rinjve siç është: bullizmi, keqtrajtimi, ngacmimet që bëhen në shkollë dhe rrugë, pastaj dhuna në shkollë dhe në familje. Në këtë rast në videon që do të prezantohet me 24 korrik, do të trajtohet bullizmi që ndodhë përmes pajisjeve teknologjike dhe kjo video dramë ka për qëllim vetëdijesimin e nxënësit, për të qenë të kujdesshëm në mënyrën se si e përdorin teknologjinë në raport me shoqërinë dhe familjen”.
Projekti ‘ArtEd- Rritemi përmes artit në arsimim’, ka filluar në muajin shkurt të këtij viti dhe ka për qëllim të krijoj klube teatrale në 20 shkolla kampione të Kosovës dhe është përkrahur nga ‘GIZ Kosovo’, në emër të Qeverisë Gjermane.