Teknologjia sot po evoluon me ritme të shpejta, duke mundësuar ndryshime dhe progres më të shpejtë, duke sjell kështu edhe një përshpejtim të ritmit të ndryshimeve në jetën e secilit. Megjithëse teknologjia nuk ka pasur kurrë një rregull po themi ‘matematikor’ që është rezultat që nuk ndryshon, tendencat dhe zhvillimi që ka pasur, jo vetëm na i ka dëshmuar që gjithçka mund të ndryshojë në çdo kohë, por na ka hapur edhe horizonte të reja.
Gjatë vitit 2024, teknologjia ka sjell shumë ndryshime, e padyshim që inteligjenca artificiale ka qenë krye temë. Inteligjenca Artificiale ka sjell revolucion në shumë fusha, posaçërisht në industrinë e teknologjisë. Algoritmet si GPT të OpenAI, që është edhe nismëtarja e fushës së inteligjencës artificiale, kanë sjellë përparime të mëdha në krijimin automatik të përmbajtjes dhe proceseve të ndërlikuara. AI përgjatë 2024-ës, është inkuadruar pothuajse në të gjitha pajisjet teknologjike e madje po në këtë vit kemi parë edhe fillet kur fuqia punëtore në kompani përbëhej nga robotë të fuqizuar nga inteligjenca artificiale. Frika nga e panjohura, ka bërë Evropën që të fus në fuqi ‘Aktin e Bashkimit Evropian’ për Inteligjencë Artificiale, Akt ky që cakton rregullat për çdo kompani që përdor sistemet e AI. Teknologjitë si Realiteti Virtual (VR), Realiteti i Shtuar (AR) dhe Realiteti i Përzier (MR), janë duke u përdorur gjithnjë e më shumë për trajnime, simulime dhe përvoja nga industritë e shumta, siç janë: shëndetësia, aviacioni, prodhimi etj. Me zhvillimet e fundit në pajisje dhe softuer, këto teknologji përgjatë 2024-tës kane ofruar përvoja më të pasura dhe të detajuara që mundësojnë përdoruesit të eksplorojnë dhe të ndërveprojnë në mjedise virtuale dhe të zgjeruara, aq sa kujtojmë që ekspertët social patën apeluar se përdorimi i pakontrolluar i tyre, sidomos nga moshat e reja mund të qonte tek një shoqëri që do ta kishte të vështirë ndarjen në mes të realitetit dhe imagjinatës.
Temë e përfolur e 2024-tës, ishin edhe automjetet autonome, në krye me Tesla-n që perfeksionuan makinat autonome, mirëpo ajo në të cilën është punuar shumë përgjatë 2024-tës, janë edhe makinat fluturuese. Madje kompania kaliforniane Alef Aeronautics, ka njoftuar se hiç më pak se 3.000 persona, kanë porositur makina fluturuese të markës ‘Alef Model A’.
2024-ta pati edhe sfida në fushën e teknologjisë e ndër më të mëdhatë, pashmangshëm ishte siguria. Një gabim i vogël nga kompania Crowdstrike në vitin 2024, shkaktoi një kaos global. Biznese, banka, spitale dhe kompani ajrore janë prekur më së shumti, pasi një përditësim i sistemit, i nisur prej kompanisë së sigurisë kibernetike Crowdstrike, ka shkuar keq dhe për pasojë është prekur sistemi Microsoft Windows. Kjo ka bërë që të kuptohet se sa e brishtë është siguria në teknologji. E kjo fushë, patjetër që do të jetë në fokus edhe gjatë 2025-ës, vit që padyshim do të na sjell shumë befasi nga teknologjia.







