Radio KFOR-i është radioja më e dëgjuar në Kosovë, e tëra si rezultat i njëzet viteve të punës cilësore që po vlerësohet edhe nga dëgjuesit, duke iu ofruar programe të ndryshme argëtuese dhe edukative, të cilat janë në dispozicion 24 orë në ditë. Duke qenë në trend edhe me teknologjinë, përveç besimit të dëgjuesve, Radio KFOR-i ka fituar shpejt edhe besimin e lexuesve dhe ndjekësve në rrjetet sociale.
Komunikimi, shkëmbimi i pikëpamjeve dhe bashkëpunimi kanë një rëndësi të madhe për ne. Përgjegjësia dhe mirënjohja ndaj dëgjuesve ishin arsye të organizimit të vazhdueshëm të kuizeve dhe projekteve edukative.
Dëgjuesit e kahershëm mund të mbajnë mend kampanjën – “KFOR Family “, e organizuar në verën e vitit 2007, e cila solli një frymë konkurrence, por edhe një dëshirë për t’u bashkuar në një, siç nënkupton edhe emri. Përgjatë atyre ditëve, pothuajse çdo makinë në Kosovë kishte një afishe me logo të Radio KFOR-it, që përfshinte kampanjën ”KFOR Family”.
Gjatë viteve të fundit, këto lloj organizimesh janë bërë të zakonshme, duke rritur edhe numrin e dëgjuesve si dhe ndjekësve të rrjeteve sociale.
Pranvera 2017, u shënua me kampanjën “K4 Like”, që tregoi se vërtet e duam natyrën dhe burimet natyrore, ku së bashku, me votimin e dëgjuesve në internet, përzgjodhëm 3 fotografitë më të bukura, të cilat treguan laramaninë e bukurisë natyrore në Kosovë.
Poashtu, në 2017 ishte edhe një tjetër ngjarje madhore e organizuar nga Radio KFOR-i, ku për herë të parë, nxënësit e shkollave të muzikës nga Prishtina dhe Graçanica, “Prenk Jakova” dhe “Stevan Mokranjac” performuan në një koncert të përbashkët në Teatrin e Prishtinës. Ky “Bashkim muzikor” i kënaqi të gjithë të pranishmit, duke u dhënë atyre mundësi të takimit të kolegëve nga një komunitet tjetër, por gjithashtu u ofroi bashkëpunime për të ardhmen.
Koncerti në fjalë, ishte humanitar, kështu që përfaqësuesit e këtyre shkollave u takuan edhe një herë në shtator të 2017-ës, për një ceremoni të mbledhjes së fondeve, organizuar nga Komandanti i atëhershëm i KFOR-it, Gjeneral Major Giovanni Fungo.
Pastaj, në vazhdën e aktiviteteve u zhvillua edhe një koncert i Vitit të Ri, në Kampin e KFOR-it “Film City”, në Prishtinë, ku interpretuan nxënësit e shkollave, “Prenk Jakova” dhe “Stevan Hristić” nga Stanishori. Fryma dhe disponimi festiv shënuan një bashkëpunim të ri multietnik.
Në nëntor të vitit 2017, radio KFOR-i nxori në pah rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit dhe përkujdesjes ndaj kafshëve, duke organizuar aktivitetin e radhës që kishte të bënte me “Parkun e Arinjve” afër Liqenit të Badofcit. Kjo strehimore, u vizitua nga nxënës të shkollave fillore nga Prishtina, Mitrovica, Graçanica dhe Lepina, duke qenë pjesë e një punëtorie që ofroi leksione edukative si dhe argëtim me bashkëmoshatarët.
Në gjysmën e dytë të 2018, Radio KFOR-i filloi një kampanjë për adhuruesit e muzikës dhe videove. Të rinjtë e talentuar nga e gjithë Kosova treguan cilësi të lakmueshme muzikore në videot e shkurtra (selfie) të postuara në faqen zyrtare Radio KFOR-it, në Facebook , ku më vonë u vlerësuan nga dëgjuesit dhe ndjekësit besnikë të Radio KFOR-it. Me këtë rast fituesit u shpërblyen me çmime të vlefshme, të dhuruara nga Gjeneral Majori, Salvatore Cuoci. Ky ishte një tjetër “bashkim muzikor”, ku videot e postuara arriten në 150,000 shikime dhe 7,000 pëlqime!
Për të vazhduar trendet bashkëkohore, radio KFOR-i organizoi edhe kampanjën tjetër “K4 Like Tolerance” të organizuar enkas për ndjekësit e profilit në Instagram. Toleranca e shfaqur nga fotografitë e lansuara nga ndjekësit e Radio KFOR-it treguan se shoqëria e Kosovës ka një të ardhme më e ndritshme.
Tre nga dhjetë foto të postuara u përzgjodhën nga pëlqimet e vizitorëve. Çmimet për fituesit u dhuruan nga Komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Lorenzo D’Addario, i cili vuri në dukje se toleranca është çelësi i suksesit për zhvillimin e një shoqërie.
“Askush nuk duhet të mbyll derën, sepse të gjithë kanë të drejtë të japin kontributin e tyre. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me përkatësinë etnike. Jo shumë kohë më parë, gratë nuk mund të kontribuonin në shoqëri, por sot ka përparim të dukshëm në këtë fushë. Ju jeni akterët kryesor, varet nga ju se si do të jetë Kosova dhe shoqëria juaj. Është e rëndësishme që ju të jeni të fortë, sepse njerëzit e fortë janë më tolerantë se ata të dobëtit. Ne, si KFOR, jemi gjithmonë të angazhuar të kontribuojmë në një shoqëri që ecën përpara, dhe të gjithë mund të shprehen lirshëm,” kështu tha Gjeneral Major D’Addario në ceremoninë e çmimeve, të mbajtur më 30 janar të vitit 2019.
Radio KFOR edhe më tutje do të vazhdojë të mbështesë talentet e rinj, përmes projekteve edukative, argëtuese dhe miqësore mes komunitetit, që do të kontribuojnë për një të ardhme të sigurt.
Presim një kampanjë të re së shpejti, pasiqë Radio KFOR feston ditëlindjen e 20-të të saj!