Në kuadër të programit “Taboo Talks”, organizuar nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”, nesër më 13 qershor, zhytësja Triera Kasumi Berisha, do të ndaj historinë e saj personale të të qenurit zhytëse shpëtimtare dhe gruaja e vetme në Klubin e Zhytjes Prishtina. Eksplorimi i thellësive dhe botës nënujore mund të konsiderohet si pjesë rekreative e sportit të zhytjes, mirëpo ky rekreacion hyn edhe në mesin e sporteve ekstreme, për shkak se një zhytës/zhytëse duhet të ketë përgatitjen e duhur fizike e psikike për tu përballur me sfidat nënujore. Këtë e pohon edhe menaxherja për Komunikim në fondacionin Shtatëmbëdhjetë, Sihana Klisurica, e cila për Radio KFOR-in, tha:
“Sporti i zhytjes nuk është edhe aq i zakonshëm në Kosovë, e sidomos për gratë, mirëpo Triera Kasumi Berisha është një prej grave që tashmë është pjesë e Klubit të Zhytjes Prishtina, në mesin e shumë burrave të tjerë”. Sipas znj. Klisurica, Triera zhytjen e konsideron si një dimension tjetër që i jep mundësi të eksploroj bukuritë nënujore dhe përveç zhytjes, ajo është e fokusuar edhe në fushën e biznesit dhe ndër të tjera do të ndaj përvojat e saj si grua në biznes.
Ky program i Project Space mbështetet nga “Swiss Cooperation Office”, në Kosovë.