“Fuqizojeni zërin tuaj!”, kjo është kampanja e vitit 2025 për shënimin e “Ditës Botërore të Zërit”, e cila çdo vit shënohet, më 16 prill. Kjo ditë është një iniciativë ndërkombëtare që synon të rrisë ndërgjegjësimin mbi kujdesin ndaj zërit dhe ndikimin e tij në komunikim, art dhe shëndet. “Dita Botërore e Zërit” u krijua nga Akademia Amerikane e Otorinolaringologjisë (AAO-HNS) dhe më pas u përhap globalisht, falë mbështetjes së profesionistëve të fushave të mjekësisë, muzikës dhe komunikimit. Qëllimi kryesor i kësaj dite është të edukojë njerëzit mbi rëndësinë e ruajtjes së shëndetit të zërit, të promovojë kujdesin dhe higjienën vokale, të ndihmojë në identifikimin dhe trajtimin e problemeve vokale në faza të hershme e krahas kësaj, sot festohet bukuria dhe fuqia e zërit në fusha të ndryshme, si arti mësimdhënie, transmetim dhe shëndetësi.
Kjo ditë na kujton se zëri është një mjet i fuqishëm për komunikim dhe shprehje artistike. Kujdesi i duhur ndaj tij është thelbësor për të ruajtur një jetë të shëndetshme dhe aktive. Nëse keni një profesion që kërkon përdorim të zërit, si mësues, këngëtar, gazetar, aktor etj., është veçanërisht e rëndësishme të zbatoni praktikat e duhura për mbrojtjen e tij.