Me idenë e aftësimit të të rinjve që kanë shumë ndjekës në rrjetet sociale, të formojnë mendim kritik, të mbledhin komunitete dhe të jenë pjesë e praktikave dhe perspektivave të reja në komunikim dhe dialog, nisma e re sociale NSI ka nisur iniciativën ’Linking Through Lenses’ LTL (Lidhja Përmes Lenteve).
Në lidhje me këtë projekt, Radio KFOR-i bisedoi me drejtorin e programit të Nismës së Re Sociale, Millosh Milovanoviç (Miloš Milovanović), i cili tha: “LTL dëshiron të ndryshojë mesazhet negative, gjuhën e urrejtjes dhe rrëfimet nxitëse, duke treguar histori pozitive dhe marrëdhënie midis njerëzve, sepse ne jemi të sigurt se në baza ditore fotografia e marrëdhënieve midis serbëve dhe shqiptarëve, romëve dhe komuniteteve të tjera, duket shumë më e mirë sesa mund ta shikoni, dëgjoni dhe lexoni në disa media. ”
Programi LTL ka nisur një sfidë me shpërblime të vlefshme sepse dëshiron t’u japë të rinjve hapësirë për të shprehur kreativitetin e tyre dhe për të treguar marrëdhëniet midis komuniteteve nga një perspektivë tjetër.
“Sfida ka për qëllim që të rinjtë të mund të përdorin vizatimin, fotografinë, artin për të paraqitur histori pozitive në marrëdhëniet e njerëzve nga komunitete të ndryshme. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë që ekziston një kufi moshe, meqë të gjithë mund të marrin pjesë në aktivitetet e programit tonë. Sfida është pikërisht mënyra që dëgjuesit tuaj ta bëjnë këtë ”, tregoi z. Milovanoviçi.
Mundësia për të fituar një nga çmimet e mëdha, një skuter elektrik, një orë inteligjente dhe një dritë nate për telefonat inteligjentë, është akoma e vlefshme, deri më 20 shtator. E tëra çfarë ju duhet të bëni është të publikoni krijimtarinë tuaj dhe të vizatoni një histori pozitive shumetnike!