Ne të gjithë jemi rritur duke parë filma vizatimorë dhe filma nga Disney, të cilët u bënë pjesë thelbësore e fëmijërisë sonë, prandaj në nderim të tyre, të hënën e parë të muajit dhjetor, shënohet “Dita e Walt Disney”.
Walt Disney (Walter Elias Disney), lindi më 5 dhjetor të vitit 1901, në Chicago, Illinois dhe është një nga figurat më të njohura dhe më të suksesshme të industrisë së argëtimit dhe animacionit. Në vitin 1928, ai krijoi personazhin vizatimor Mickey Mouse, një personazh që e skicoi ndërsa ishte në një autobus. Në atë kohë, ai kishte vetëm 20 dollarë për të filluar nga e para, kështu që Disney vendosi të shkonte në Hollywood, ku krijoi disa personazhe vizatimore, si: Minnie Mouse, Pluto, Goofy, Donald Duck, etj.
Pas disa vitesh, Disney filloi të zhvillonte filma vizatimorë me metrazh të gjatë, si: Borëbardha dhe Shtatë Xhuxhët, Pinokio, Fantasia, Dumbo, Bambi, Hirushja, Mary Poppins, etj. Për shkak të suksesit të këtyre karikaturave, nuk ishte befasi kur Disney fitoi 22 çmime OSCAR, për rolet e tij si animator, producent filmash dhe aktor. Por siç e dimë, Disney nuk u ndal me kaq, ai hapi gjithashtu parqe në disa vende të botës.
Walt Disney vdiq më 15 dhjetor, të vitit 1966, në moshën 65 vjeçare, por që vazhdon edhe më tutje të mbetet një nga figurat më të njohura dhe më të suksesshme të industrisë së argëtimit dhe animacionit.