E diela e këtij vikendi do të karaterizohet me një ngjarje sa sportive po aq edukative, posaçërisht për adhuruesit e natyrës dhe vrapimit, përmes Maratonës së Malësisë së Gjakovës 2018.
Përveç promovimit të mënyrës së një jetese të shëndetshme, kjo maratonë synon të vë në pah edhe bukurinë e pazbuluar të maleve që shtrihen në mes të Komunës së Gjakovës dhe qytetit të Bajram Currit. Radio KFOR-i kontaktoi Artan Haraqinë, nga stafi organizativ i kësaj maratone, i cili na njoftoi më shumë rreth qëllimit të kësaj ngjarjeje:
“Qëllimi primar i këtij aktiviteti është promovimi i bukurive natyrore dhe aseteve turistike që ka qyteti i Gjakovës, mirëpo përveç kësaj, Maratona sikurse në 2 vitet e mëhershme edhe këtë vit ka një moto vetëdijësuese me dedikim të caktuar, e që do të jetë ”Run for Health” ose “Vrapo për Shëndetin”, ka pohuar Haraqija.
Vlen theksuar se interesimi për pjesëmarrje në këtë maratonë është shumë i madh, bazuar në vitet e mëparshme, ku përveç vrapuesve vendor, ka pasur edhe vrapues të shumtë ndërkombëtar.12