Së shpejti do të mbahet edicioni i nëntë i mini-maratonës humanitare “Vrapo Babadimër”. Kjo kauzë humanitare vjen në kryeqytet me datën 15 dhjetor, duke filluar nga ora 12:00, në Sheshin “Xhorxh Bush”, në Prishtinë. Ky aktivitet ka për qëllim mbledhjen e fondeve për familjet në nevojë gjatë festave të fundvitit dhe mbështetje për fëmijët e repartit të Hemato-Onkologjisë.
Në shtigjet dy dhe tre kilometra për fëmijë dhe të rritur, këtë vit do të jenë mbi 5.000 pjesëmarrës, të veshur me kostume të Babadimrit.
Organizatori i kësaj nisme, z. Jusuf Islami, në një prononcim për Radio KFOR-in, tha se 15 dhjetori do të jetë një ditë e madhe ku do të bëhet një marshim dhe vrapim plot gëzim e energji festive dhe më tej shtoi: “Ky aktivitet është për të gjithë, pa dallim moshe, gjinie apo feje. Një mundësi unike për të krijuar kujtime festive dhe për të shijuar atmosferën që vetëm Prishtina mund ta ofrojë gjatë fund vitit. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë edhe 200 ushtarë të KFOR-it, duke kontribuar për këtë kauzë të rëndësishme. Një falënderim i veçantë shkon për KFOR-in, të cilët na kanë qëndruar pranë dhe na kanë mbështetur ndër vite, duke e bërë këtë rrugëtim edhe më të fortë dhe të suksesshëm.”, tha ndër të tjera z. Islami
Kostumet e Babadimrit janë në dispozicion për të gjithë të interesuarit dhe shiten në Sheshin Zahir Pajaziti, çdo ditë nga ora 11:00 deri në orën 20:00, ku të ardhurat nga shitja e tyre do të shkojë për personat në nevojë.
Bashkohuni me këtë ngjarje festive dhe bëni një ndryshim të madh për fëmijët që kanë nevojë për trajtim të specializuar mjekësor. Për më shumë informacion dhe për t’u regjistruar, mund të vizitoni faqen zyrtare “Vrapo Babadimër”.







