“Arritja e barazisë gjinore dhe fuqizimi i grave nuk është vetëm gjëja e duhur për t’u bërë, por është një përbërës kritik në luftën kundër varfërisë ekstreme, urisë dhe kequshqyerjes”, shkruhet kështu në faqen zyrtare të Kombeve të Bashkuara teksa shënojmë “Ditën Ndërkombëtare të Grave Rurale”. Kjo ditë është vendosur që të kremtohet çdo 15 tetor, për të vlerësuar kontributin që japin gratë e zonave rurale. Gratë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të fuqisë punëtore bujqësore, duke përfshirë punën joformale, ato japin kontribut të rëndësishëm në prodhimin bujqësor, sigurinë ushqimore dhe të ushqyerit, menaxhimin e tokës dhe burimeve natyrore dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë klimatike. Mesatarisht, gratë përbëjnë më shumë se 40% të fuqisë punëtore bujqësore në vendet në zhvillim, duke filluar nga 20% në Amerikën Latine e deri në 50% ose më shumë në pjesë të shumta të Afrikës dhe Azisë.
“Dita Ndërkombëtare e Grave Rurale” ka për qëllim rritjen e ndërgjegjësimit për nevojat dhe të drejtat e grave në zonat rurale, duke u fokusuar në rëndësinë e fuqizimit të tyre përmes politikave që promovojnë barazinë gjinore dhe mbështetje për iniciativat e tyre ekonomike.







