Ndër stinët më të bukura të peizazhit, me të drejtë konsiderohet vjeshta. Temperaturat e përshtatshme për ecje, na mundësojnë që të shtojmë kujdesin ndaj shëndetit, duke ecur si dhe njëkohësisht të shijojmë peizazhin dhe bukuritë e natyrës që na vijnë plot ngjyra. Janë pikërisht ngjyrat e vjeshtës, ato të cilat janë edhe në fokusin e fotografëve.
Vjeshta, është stinë e parapëlqyer për foto edhe për fotografin, Marjan Komani, i cili për Radio KFOR-in tha: “Për mua secila stinë e ka veçantinë e vet, por vjeshta është pak më ndryshe, për arsye se mua më përshtatet në stilin e ngjyrave të mia. Ngjyrat e vjeshtës janë ngjyra të ngrohta, janë ngjyra më shumë të dashurisë dhe ky është stili që më përshtatet më së shumti. Ditë më parë kam realizuar fotografi në pjesën e parkut të Gërmisë dhe për mua ishte tejet inspriuese e qetësuese, pamja që ka marr parku pikërisht nga vjeshta. E këtë mundet me e shiju secili, thjesht me dalë në natyrë pa qenë fare fotograf, vetëm thjesht me dal e me shiju këtë peizazh.”
Edhe nëse nuk jeni fotograf profesionist, dilni dhe realizoni fotografi në natyrë gjatë vjeshtës, të jeni të sigurt që do të ndaheni të kënaqur me ato që keni shkrepur, e kjo falë lloj-llojshmërisë së ngjyrave që na i dhuron stina e vjeshtës.