Rreth 1% e njerëzve në botë, përballen me çrregullim të pigmenteve të lëkurës, që njihet ndryshe si ‘Vitiligo’, që shkakton humbjen e pigmentit të lëkurës duke shkaktuar njolla të bardha, kryesisht në fytyrë dhe pëllëmbët e duarve. Data e sotme, 25 qershori, shënon ‘Ditën Botërore të Vitiligos’, për të ndërgjegjësuar njerëzit rreth këtij çrregullimi, por edhe për të luftuar bullizimin dhe paragjykimet që përjetojnë personat me këtë çrregullim pigmentesh, që shfaqet më tepër tek personat nga mosha 10 deri në 30 vjet.
Rreth këtij çrregullimi të pigmenteve të lëkurës, Radio KFOR-i zhvilloi një intervistë me specialistin e sëmundjeve të lëkurës, Dr. Rexhep Morina, i cili tregoi më shumë për këtë çrregullim estetik të lëkurës: “Vitiligo hyn në kodet e sëmundjeve auto-imune, sepse disa nga faktorët ngacmues për tu shfaqur vitiligo, ngacmojnë kodin gjenetik dhe atëherë nxitet një mekanizëm autoimun, që vepron në qelizat që prodhojnë pigmente dhe ndryshe quhen melanocide. Faktorët ngacmues më të shpeshtë të shfaqjes së vitiligos, janë stresi akut dhe stresi kronik. Përveç stresit, vitiligo ka bazë trashëguese, gjenetike, pastaj faktori hormonal, sidomos gjëndra tiroide, pastaj çrregullime të tjera shëndetësore të organizmit që e ngacmojnë kodin dhe shpërfaqin vitiligon tek njerëzit.”
Disa nga simptomat e para të vitiligos përfshijnë thinjat e parakohshme të flokëve në lëkurën e kokës ose në vetulla, humbjen e ngjyrës në pjesën e brendshme të gojës dhe ndryshimi i ngjyrës së retinës së syrit.