Muaji tetor shënon fillimin e vitit të ri akademik 2020/2021, për institucionet e arsimit të lartë në Kosovë. Në bazë të vendimit aktual, ky vit akademik ka filluar më 1 tetor, për studentët e vitit të dytë dhe të tretë, kurse për studentët e rinj të vitit të parë do fillojë me vonesë.
Më shumë detaje në lidhje me këtë proces mësimor, për Radio KFOR-in ka dhënë zyrtarja për informim në Universitetin e Prishtinës, “Hasan Prishtina”, Blerta Dibrani, e cila ndër të tjerash, tha: “Vendimi aktual për fillimin e vitit të ri akademik, është që studentët të fillojnë me formë të kombinuar të mësimit, pra do të jetë virtualisht dhe fizikisht, aty ku do të ketë nevojë. Kjo po bëhet me qëllim që të ruajmë shëndetin e studentëve, po edhe të profesorëve. Viti i ri akademik me ligjërata ka filluar vetëm për studentët e regjistruar tashmë. Ndërsa, viti i ri akademik nuk ka filluar edhe për studentët e viteve të para për shkak që ende jemi në proces të konkursit për pranimin e studentëve të rinj. Provimet pranuese kanë filluar nga 2 tetori dhe do të organizohen në katër ditë, në mënyrë që të ruhet distanca dhe të ruhet shëndeti i tyre.”
Znj. Dibrani, tutje, ka sqaruar se provimet pranuese janë organizuar për katër ditë radhazi, në mënyrë që të respektohen masat mbrojtëse nga pandemia, pasi numri i aplikuesve ka arritur në 8.673 studentë.