Dashamirët e muzikës klasike, do të kenë mundësi që më datën 12 maj, nga ora 20:00, në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Qendrore Universitare, të dëgjojnë një koncert të pasur muzikor nga duo fantatstike, me violonçelistin e njohur nga Sllovienia, z. Bernardo Brizani dhe pianistin e dëshmuar z. Misbah Kaçamaku.
Në një prononcim ekskluziv dhënë Radio KFOR-it, z. Brizani, tregoi që për herë të parë vjen në Kosovë, dhe me padurim pret që të shkëmbejë edhe përvojën e tij të pasur muzikore me muzicient nga Kosova. Poashtu, përmes një mesazhi të dhënë, tërhoqi një paralele në mes të jetës dhe muzikës: ‘’Për mua bota ndryshoi totalisht që nga janari i vitit 2020. Kam punuar shumë për të studiuar teknikën e violonçelos dhe për të lexuar libra të kompozitorëve, gjë që më ka ndihmuar në koncertet e mia. Jam i lumtur që do të jap mësim edhe në Universitetin e Prishtinës, pas koncertit tim, me 8 studentë të Prof. Antonio Gashit, i cili është miku ynë i familjes. E sa i përket mesazhit, mund të them: Luaj me zemrën tënde dhe bëj në jetë atë që ti e do më shumë. Muzika është jeta ime, violonçelo është dashuria ime. Muzika është art. Ne pikturojmë çdo ditë në kokën tonë dhe më pas e transferojmë në duar, duke ja kaluar pastaj publikut tonë. Mos harroni, muzika është dashuri, shpërndaje!”
Kujtojmë që artisti, Bernardo Brizani filloi të luante violonçel në moshën katër vjeçare. Në moshën shtatë vjeçare, pati suksesin e tij të parë në Konkursin Ndërkombëtar të Çelistëve të Rinj në Itali. Kjo i dha mundësinë të performonte në koncerte të ndryshme nëpër Evropë. Në moshën dhjetë vjeçare, ai fitoi Çmimin e Artë në Konkursin e 32-të të Muzikantëve të Rinj të Republikës së Sllovenisë. Që atëherë, çdo vit ka gëzuar suksese në konkurse kombëtare dhe ndërkombëtare, si dhe ka dhënë recitale të shumta, e poashtu ka marrë pjesë në koncerte të shumta. Në vitin 2018 kishte kaluar me sukses audicionin e orkestrës për akademinë në Orkestrën Simfonike të Bamberg . Nga janari 2021, artisti në fjalë është asistent mësimdhënës në Akademinë e Muzikës, në Lubjanë.
Theksojmë që gala koncerti, i cili do të jepet në Prishtinë, realizohet në kuadër të Chopin Piano FEST “Prishtina” , i themeluar me rastin e përvjetorit të 200të të Chopin në vitin 2010, nga Asociacioni Kosovar Chopin, si anëtari më i ri i Federatës Ndërkombëtare të Shoqatave të Chopin.