Ka qenë data 15 dhjetor e vitit 1999, kur Kombet e Bashkuara njohën “Ditën Ndërkombëtare të Vesak-ut” ose “Ditën e Hënës së Plotë”, si ditë që zë vend në kalendarin e ngjarjeve të shënuara. Vesak-u, një nga festat më të rëndësishme në kalendarin budist, e cila shënohet sot (05.05.23), shënon tri ngjarje të rëndësishme në jetën e Budës: lindjen, ndriçimin dhe vdekjen.
“Dita e Vesak-ut” shënohet në ditën e hënës së plotë, të muajit të pestë të kalendarit lunar dhe kjo datë ndryshon vazhdimisht, duke ndryshuar në varësi të vendit dhe traditës. Në Azi, ekzistojnë kalendarë hënor të ndryshëm, që numërojnë muajt ndryshe, por muaji gjatë të cilit është vërejtur “Vesak-u” zakonisht përputhet me muajin maj. Kjo ditë festohet në të gjithë botën nga budistët dhe përcillet me rituale e ceremoni të ndryshme, si përkujtim i Budës dhe mësimeve të tij. Gjithashtu, në këtë ditë, disa besimtarë vizitojnë tempujt dhe marrin pjesë në ceremoni që kujtojnë jetën e Budës.
Në “Ditën e Hënës së Plotë”, kremtohet kontributi i Budizmit si fuqi shpirtërore e jetës së përditshme, për paqen e brendshme dhe të jashtme.